Siguria hekurudhore/ Takime informim-ndërgjegjësimi në institucionet e arsimit parashkollor dhe parauniversitar Vorë.
Fushata e informimit dhe ndërgjegjësimit për përfitimet dhe sigurinë e transportit hekurudhor u zhvendos në institucionet e arsimit parauniversitar dhe ato parashkollor. Përfaqësuesit e Qendrës për Zhvillimin e Shoqërisë Civile me qendër në Durrës zhvilluan takime në disa prej institucionve arsimore që ushtrojnë aktivitetin përgjatë gjurmës ku shtrihet projekti hekurudhor që lidh Tiranën me Durrësin dhe dëgëzimin e tij me aeroportin e Rinasit.
Në territorin e Bashkisë së Vorës takimet u zhvilluan në shkollën e mesme “Isa Boletini” ashtu sikurse në shkollat 9 vjeçare në Vorë dhe në Picar. Një takim i veçantë informues e ndërgjegjësues u mbajt edhe me stafin e kopshtit të Vorës. Në këto takime u prezantua një fishë e detajuar me informacion teknik mbi projektin me fokus kryesor aspektet që kanë të bëjnë me sigurinë e transportit hekurudhor dhe përfitimet që rrjedhin nga përdorimi i kësaj alternative lëvizjeje.
Aspektet e sigurisë përfshijnë fazën ndërtimore me planin e masave që do të ndërmarrin autoritetet shtetërore e kompania që kryen punimet por edhe fazën operacionale pas vënies në shfrytëzim të linjës hekurudhore. Stafi administrativ i institucioneve arsimore parauniversitare dhe parashkollore u orientuan që të kryejnë shpërndarjen e mëtejshme të këtyre informacioneve tek nxënësit përmes lëndëve të ndryshme mësimore dhe bisedave të lira.
Në një kohë kur Hekurudha Shqiptare sh.a. ka filluar përmes kompanisë kontraktore fazën e punimeve në terren për konkretizimin e projektit të ri hekurudhor që lidh Tiranën me Durrësin dhe dëgëzon rrjetin me aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, organizatat e shoqërisë civile të angazhuara nga konsulentët e BERZH-it po kryejnë paralelisht fushatën e informim/ndërgjegjësimit në terren me grupet e interesit që preken direkt ose indirekt nga ky investim.