Treni Tiranë-Durrës-Rinas, mundësi e re transporti për bizneset.

Ekspertët e Fondacionit Shqiptar për Zhvillimin e Kapaciteteve Lokale (ALCDF) vazhdojnë fushatën e informimit dhe ndërgjegjësimit me bizneset që ushtrojnë aktivitetin përgjatë gjurmës ku kalon projekti hekurudhor që lidh Tiranën me Durrësin dhe aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.

Takimi i parë u zhvillua me administratorin, menaxherin dhe stafin kompanisë KID Alb Sh.p.k., e cila ushtron aktivitetin tregtar në fushën e prodhimit të tullave dhe të qeramikës. Kompania ka të punësuar 140 persona të cilët vijnë nga qyteti i Tiranës dhe ai i Durrësit.

Ekspertët e ALCDF prezantuan projektin e ri hekurudhor, përfitimet që vijnë nga përdorimi i kësaj forme transporti dhe aspektet e sigurisë që duhen patur në vëmendje nga ata që e përdorin por dhe banorët e zonës.

Të njëjtin fokus kishte dhe takimi i zhvilluar në Resortin “Stela”, biznes me mbi 100 të punësuar që ofron disa shërbime si fabrikë birre, hotel, restorant, bar, qendër sportive, pishinë verore etj. Një staf administrativ prej 11 personash u informuan dhe ndërgjegjësuan për çështjen e përdorimit të sigurtë të transportit hekurudhor.

Projekti i rehabilitimit të rrjetit hekurudhor midis Tiranës dhe Durrësit dhe ndërtimi i degëzimit me aeroportin e Rinasit do të krijojë mundësi të reja transporti për të gjitha bizneset që shtrihen përgjatë gjurmës. Punonjësit e këtyre bizneseve që jetojnë në qytetin e Tiranës dhe Durrësit do të mund ta përdorin hekurudhën për të mbërritur shumë më shpejt në destinacion dhe me një kosto shumë më të ulët.

Përfaqësuesit e bizneseve shfaqën interes të madh për projektin ashtu sikurse e shohin me pritshmëri pozitive edhe projektin tjetër që linjës hekurudhore që lidh Vorën me Hanin e Hotit. Përveç transportit të njerëzve, treni shihet si një alternativë shumë e mirë transporti edhe për mallrat që prodhohen prej këtyre bizneseve.

Stafet administrative të resortit “Stela” dhe KID Alb Sh.p.k. u angazhuan të shpërndajnë materialet informative/ndërgjegjësuese tek të gjithë punonjësit ashtu sikurse të vendosin ato në vende të dukshme në mjediset e punës.

Teksa Hekurudha Shqiptare Sh.a. po avancon përmes kontraktorit me punimet në terren, organizatat e shoqërisë civile si ALCDF, të kontraktuara nga konsulentët e BERZH-it po zhvillojnë takimet informuese dhe ndërgjegjësuese.