“Treni po vjen”, takim informues/ndërgjegjësues në kompaninë Agro Koni.
Ndërsa Hekurudha Shqiptare Sh.a. po avancon përmes kontraktorit me punimet në terren për konkretizimin e projektit të hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës, organizatat e shoqërisë civile, të kontraktuara nga konsulentët e BERZH-it po zhvillojnë takimet informuese dhe ndërgjegjësuese me bizneset që veprojnë përgjatë gjurmës.
Ekspertët e Fondacionit Shqiptar për Zhvillimin e Kapaciteteve Lokale (ALCDF) zhvilluan një takim me përfaqësues të kompanisë Agro Koni që ka si objekt të saj grumbullimin, tregtimin dhe import/eksportin e produkteve bujqësore. Kompania e cila ka të punësuar 50 punonjës është një ndër aktorët kryesorë të tregjeve të shumicës në vend.
Takimit informues dhe ndërgjegjësues me stafin administrativ të kompanisë ju bashkuan edhe pjesëtarë të komunitetit përreth që e panë me interes informimin për projektin e hekurudhës që lidh Tiranën me Durrësin dhe aeroportin e Rinasit. 21 të pranishmit morën një informacion të detajuar mbi projektin teknik, sigurinë në përdorimin e transportit hekurudhor dhe përfitimet nga kjo formë transporti ofron sa i takon qëndrueshmërisë, leverdishmërisë finnciare dhe kohës më të shkurtër të lëvizjes.
Interes i veçantë u shfaq për kalimet e autorizuara dhe sidomos për atë në Guzaj. Ky kalim është jetësor për banorët dhe bizneset e kësaj zone. Rrethimi i hekurudhës do të mbyllë të gjitha kalimet e paautorizuara. Kalesat e autorizuara do të pozicionohen në përputhje me mundësitë e rrugëve alternative ndërsa kanalet dhe urat e hekurudhës do të krijojnë mundësi të pranueshme për lëvizjen e kafshëve.
Bazuar në nevojën për qarkullimin e automjeteve dhe qytetarëve, hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës do të ketë 19 kalime rrugore dhe 5 kalime vetëm për këmbësorët. Kalimet në nivel me rrugën do të jenë të pajisura me barriera të automatizuara, semaforë pulsues dhe sinjale zanore paralajmëruese, ndërsa kalimet për këmbësorët do të përmbajnë barriera të plota, sistem paralajmërues me drita dhe sinjal zanor ashtu sikurse pengesa për të parandaluar kalimin e automjeteve rrugore.
Pjesëmarrësit në takim u angahzuan të ndajnë informacionin tek të gjithë punonjësit e tjerë si dhe anetarët e familjeve dhe komuniteteve që ata përfaqësojnë. Në mjediset e biznesit u shpërndanë fletëpalosje dhe postera informues.