“Siguria e transportit hekurudhor, takime informuese në Maminas"
Fushata e informim/ndërgjegjësimit për sigurinë e transportit hekurudhor dhe projektin e ri për lidhjen me tren të qyteteve të Tiranës, Durrësit dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit u zhvillua në mjediset e kompanisë INSIFA Sh.p.k. Ky subjekt ushtron aktivitetin përgjatë gjurmës së hekurudhës në zonën e Maminasit, numëron mbi 60 të punësuar dhe ka për objekt pune prodhimin e çokollatave dhe ëmbëlsirave.
Në takimin e organizuar nga ekspertët e Fondacionit Shqiptar për Zhvillimin e Kapaciteteve Lokale (ALCDF), kontraktuar nga konsulentët e BERZH-i, morën pjesë personal nga administrata por dhe punonjës të reparteve të prodhimit.
Kompania ka shumë punonjës që jetojnë në zonën përreth dhe si pjesë e komunitetit ata kanë një përfitim direkt nga ndërtimi i hekurudhes. Për këtë arsye, ekspertët i kushtuan rëndësi informimit të tyre sa i takon rregullave të sigurisë së transportit hekurudhor, sinjalistikat e nevojshme dhe zbatimin e planit të masave si për periudhën e kantierit ashtu edhe për fazën e vënies në funksion të linjës.
Gjatë diskutimeve, punonjësit shprehën interes të madh për mundësinë e caktimit të një stacioni të hekurudhës në Maminas. Sipas tyre, ky stacion do të lehtësonte jo vetëm transportin e pasagjerëve por edhe atë të mallrave për bizneset dhe fermeret. Sigurisht, kjo shihet si një lehtësi transporti edhe për pushuesit gjatë verës që frekuentojne plazhin e Gjirit të Lalëzit.
Paralelisht me informimin dhe ndërgjegjësimin e një pjese të konsiderueshme të bizneseve, institucioneve publike dhe atyre arsimore që ushtrojnë aktivitetin përgjatë gjurmës, në terren kontraktori i Hekurudhës Shqiptare po ecën me intensitet të lartë në zbatimin e projektit të ri që lidh Tiranën me Durrësin dhe Aeroportin e Rinasit.